
Reforma Administrativo-Territoriale u vu sot përballë dëgjesës me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë paraqitën shqetësimet mbi mënyrën e zhvillimit të procesit dhe kërkuan vlerësimin e tij, sipas standardeve evropiane.
Në dëgjesën me përfaqësueset e larta të Kongresit, Claudia Luciani dhe Carolin Dubois-Leinihan, Shoqata theksoi se nuk kërkon mbështetjen e një harte të caktuar, por që ndryshimi territorial të mbështetet në konsultim të plotë, evidencë të qartë dhe konsensus të gjerë.
Presidenti i Shoqatës, Fisnik Qosja, e cilësoi qëndrimin institucional dhe jo politik.
“Po mbrojmë interesat e qytetarëve dhe jo të politikës”, deklaroi Qosja, duke shtuar se një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, por i jep asaj legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri.
Zv.presidenti i Shoqatës, Albert Malaj, paraqiti tre shqetësime kryesore: përmbylljen e procesit parlamentar pa u realizuar të gjitha fazat e parashikuara, mungesën e konsultimit konkret për propozimin e shkrirjes së 15 bashkive dhe mungesën e një konsensusi të gjerë në nivel vendor.
Sipas Shoqatës, nuk u zhvilluan disa prej mekanizmave të parashikuar, përfshirë raundet e mëtejshme të konsultimit, sondazhin publik, publikimin e kritereve dhe alternativave dhe konsultimin mbi paketën ligjore.
“Ne nuk u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të mbështesin një hartë të caktuar, por të ndihmojnë që procesi të respektojë standardet evropiane të konsultimit, pjesëmarrjes dhe demokracisë lokale”, tha Malaj.
Eksperti i nivelit të lartë për Reformën Territoriale-Administrative, Ylli Asllani, e cilësoi procesin të njëanshëm. Ai tha se opozita kishte kërkuar një Komision të Posaçëm Parlamentar bipartizan dhe se kjo kërkesë u pranua pas presionit ndërkombëtar. Sipas Asllanit, pavarësisht kërkesave të opozitës dhe ekspertëve, jo të gjitha aktivitetet e parashikuara u zhvilluan.
Në mënyrë të veçantë, ai përmendi Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se nuk u zhvilluan dëgjesat me qytetarët e kryeqytetit.
“Po bëhet një reformë pa pyetur qytetarët. Është një prerje e hartës pa asnjë analizë”, deklaroi Asllani, duke ngritur edhe shqetësimin për mungesën e ekspertizës ndërkombëtare dhe akademike në proces.
Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri, solli në vëmendje qëndrimin e komunitetit ndaj propozimit për shkrirjen e bashkisë. Curri tha se Fushë-Arrëzi ka votuar kundër shkrirjes dhe kërkoi që Kongresi t’i tërheqë vëmendjen qeverisë për mosdëgjimin e komunitetit.
“Ne komunikojmë me deputetë dhe përfaqësues të mazhorancës dhe na thonë: nuk është reformë e mirë, por jemi të detyruar ta votojmë”, deklaroi Curri.
Në përfundim, Shoqata kërkoi nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të shqyrtojë dokumentacionin, konsultimet e zhvilluara dhe qëndrimet e bashkive e komuniteteve, si dhe të vlerësojë përputhshmërinë e procesit me standardet evropiane të autonomisë vendore.
Debati, sipas Shoqatës, nuk lidhet vetëm me numrin apo kufijtë e bashkive, por me mënyrën se si merret një vendim që prek drejtpërdrejt qytetarët, shërbimet publike, përfaqësimin dhe autonominë vendore.
Mesazhi përfundimtar ishte i qartë: çdo ndryshim i hartës territoriale duhet të mbështetet në evidencë të verifikueshme, konsultim real dhe konsensus të gjerë.
“Një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, ai i jep asaj legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri”, përfundoi Qosja.
IUSTITIA.BG – Investigations 2009-2026 2026-08-25 14:12:26
Lajmet e fundit, lajmet botërore dhe lajmet kombëtare me informacionet më të rëndësishme të ditës. Gjyqtari Petar Nizamov dhe Feathers Petar Nizamov ofrojnë analiza dhe hetime në Burgas dhe në të gjithë Bullgarinë. Lajmet e përditësuara mbi politikën, motin, koronavirusin, skandalet, gjykatat, prokuroritë dhe autoritetet lokale janë të disponueshme përmes televizionit, platformave online dhe rrjeteve sociale si Facebook, Instagram dhe YouTube. Avokatët, gjyqtarët dhe gjykatat trajtojnë çështje civile, penale, administrative dhe kushtetuese, duke garantuar procesin gjyqësor në Varna, Plovdiv, Sofje dhe Burgas. Faqet dhe portalet e lajmeve si Novinite, Bivol, Trud dhe Vesti BG ofrojnë mbulim të plotë 24-orësh, përfshirë lajmet më të komentuar dhe ekskluzive në Bullgari.


