

Eksperti i ekonomisë Mateo Spaho ka vlerësuar se ngritja e Bordit të Transparencës nuk ka sjellë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve të karburanteve, duke theksuar se roli i tij mbetet më shumë komunikues sesa vendimmarrës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Spaho tha se problemi kryesor lidhet me nivelin e lartë të taksave mbi karburantet.
Eksperti thekson se pjesa më e madhe e çmimit të naftës përbëhet nga taksat, si akciza dhe TVSH-ja, që arrijnë deri në 60% të çmimit final. Sipas tij, qeveria ka mundësi për të ulur këto tarifa, por mbetet e paqartë nëse do ta ndërmarrë një hap të tillë në rast se kriza zgjat.
Mateo Spaho ngre shqetësimin për diferencën e madhe të çmimeve me vendet fqinje, veçanërisht me Maqedoninë e Veriut, ku sipas tij çmimi total i naftës është pothuajse sa vetëm taksat në Shqipëri.
Eksperti i ekonomisë shtoi gjithashtu se mbështetja për bujqësinë duhet të jetë më e madhe dhe më e mirëtargetuar.
INTERVISTA E PLOTË:
Është ngritur Bordi i Transparencës edhe këtë herë, ashtu si në vitin 2022. Cili është opinioni juaj për rolin që ai po luan aktualisht?
Mateo Spaho: Në fakt, ne në Shqipëri kemi jo pak institucione të cilat, drejtpërdrejt ose indirekt, kanë për detyrë të ruajnë tregun. Bordi i Transparencës nuk është se kishte ndonjë nevojë të madhe për t’u ngritur, por gjithsesi shërben më shumë si një mundësi për të komunikuar me faktorët e interesit. Çështja kryesore është se qeveria shqiptare i ka mundësitë për uljen e taksave. Duhet të mos harrojmë që 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat, siç janë aksiza dhe TVSH-ja. Një rritje me 200 lekë e karburantit nënkupton që rreth 100 deri në 110 lekë i merr shteti. Pra, shteti e ka mundësinë t’i reduktojë këto tarifa, sidomos duke pasur parasysh se gjatë këtyre javëve janë arkëtuar rreth 85 milionë euro shtesë në buxhet pikërisht nga taksat e çmimit të lartë të karburantit. Qeveria ka rezerva, por mbetet e paqartë se si do të veprohet nëse kjo krizë zgjat.
A është qeveria në kushtet ku duhet t’i ulë taksat dhe çmimin e naftës? Banorët e zonave kufitare shkojnë në Maqedoninë e Veriut për të blerë naftë më lirë. Çfarë mendoni për këtë?
Mateo Spaho: Ka një diferencë të madhe që shkon përtej krizës aktuale. Nëse krahasojmë çmimin në Maqedoninë e Veriut, i gjithë çmimi përfundimtar atje nafta bashkë me taksat, është pothuajse i barabartë me vetëm taksat që shteti ka vendosur në Shqipëri. Vetëm si taksa, ne kemi rreth 1200 deri në 1300 lekë për litër. Kjo diferencë e madhe i shtyn qytetarët ta blejnë naftën jashtë kufijve, gjë që mund të nxisë edhe fenomenet e kontrabandës. Ky është një problem i vjetër. Shteti shqiptar historikisht ka preferuar “rrugën e shkurtër”, është më e thjeshtë të mbledhësh taksat e naftës direkt në port, nga anijet petroliere sesa të luftosh informalitetin në tatimin mbi fitimin apo mbi të ardhurat personale, siç bëhet në vendet e tjera.
Sipas skemës së re, mbështetja me naftë pa taksa për rreth 50,000 fermerë është hequr këtë vit. Fermerët janë të pakënaqur, ndërsa qeveria e mbron këtë skemë. Si e gjykoni ju?
Mateo Spaho: Së pari, është e vërtetë që skema e vitit të kaluar nuk rezultoi efektive, sepse për të pestin vit radhë bujqësia shqiptare ka pësuar zvogëlim të produktivitetit dhe është në recesion. Së dyti, subvencionet duhen dhënë ndaj atyre që e prodhojnë produktin dhe atyre që e tregtojnë. Ne duhet të ndjekim praktikat e mira të Maqedonisë së Veriut, e cila ofron një ndihmë rreth 10-fish më të lartë në raport me Shqipërinë. Me një mbështetje më të madhe për bujqësinë, ne do ta ndjenim më pak rritjen e çmimeve. Aktualisht, produktet bujqësore dhe ato të industrisë së lehtë në Shqipëri po importohen gjithmonë e më shumë. Një bujqësi që rrit produktivitetin do të zvogëlonte kostot e transportit dhe do t’i bënte çmimet në vend më të përballueshme për qytetarët.
“Bordi i Transparencës pa ndikim real”, Spaho: Qeveria të ulë taksat e naftës dhe të rrisë mbështetjen për bujqësinë 2026 IUSTITIA.BG – Investigations 2009-2025 2026-04-07 18:54:59
Lajmet e fundit, lajmet botërore dhe lajmet kombëtare me informacionet më të rëndësishme të ditës. Gjyqtari Petar Nizamov dhe Feathers Petar Nizamov ofrojnë analiza dhe hetime në Burgas dhe në të gjithë Bullgarinë. Lajmet e përditësuara mbi politikën, motin, koronavirusin, skandalet, gjykatat, prokuroritë dhe autoritetet lokale janë të disponueshme përmes televizionit, platformave online dhe rrjeteve sociale si Facebook, Instagram dhe YouTube. Avokatët, gjyqtarët dhe gjykatat trajtojnë çështje civile, penale, administrative dhe kushtetuese, duke garantuar procesin gjyqësor në Varna, Plovdiv, Sofje dhe Burgas. Faqet dhe portalet e lajmeve si Novinite, Bivol, Trud dhe Vesti BG ofrojnë mbulim të plotë 24-orësh, përfshirë lajmet më të komentuar dhe ekskluzive në Bullgari.

